KURATOR v. KREATOR

Hedhja në treg e Instagramit në hyrje të dekadës bëri bashkë një grup hipsterash që postonin foto ushqimesh dhe peizazhe lo-fi, sepse këtë bënin hipsterat. Hanin gjëra të lezetshme dhe riciklonin gjithçka, përfshi efektet fotografike të kohës së shkuar, ndërsa vetë fotot i shkrepnin me një Canon modern. Më pas grindeshin se cili ishte më i mirë, Nikon apo Canon, teksa industria japoneze e aparatëve triumfonte në sfond. E ndërsa postimi i fotografive të ushqimit vijon t’i rezistojë kohës, gjuha estetike e Instagramit ka evoluar sipas gjeneratave që e popullojnë këtë platformë.

Mediumi i ndërlidhjes në Instagram janë fotot estetike, me qëllim përditësimin mbi çfarë është in sot dhe çfarë jo, ndërsa mënyra kryesore sesi ndërlidhemi është duke ndjekur llogaritë që na tërheqin. Të gjithë e kemi parasysh ndjesinë që na kap kur hasim llogarinë e duhur. Motivi që na shtyn të klikojmë follow ka një burim kryesor: the feed mood. Moodin në shqip po e etiketojmë si ‘gjendje’ këto kohë, ndaj mund të themi se është gjendja që llogaria përcjell në shikim të parë, ajo çka na shtyn ta ndjekim atë ose jo. Duke huazuar nga fizika, krijimi i një feed-i Instagramor i cili ka një gjendje tërheqëse dhe identitet të ravijëzuar qartë, tani quhet kohezion. Ndërsa forca që administron kohezionin tashmë njihet si kurator. Unë i quaj Instakuratorë.

Instakuratori e merr titullin nga kuratori i një muzeumi apo galerie arti. Instakuratori nuk krijon, por përzgjedh veprat të cilat do të ekspozojë në llogarinë e tij/saj. Zakonisht Instakuratorët ripostojnë fotografi, piktura e art dixhital, nga të cilat ndoshta jo të gjitha, por shumica gëzojnë të drejtë autori. Planifikimi dhe kompozimi i kujdesshëm i postimeve qëndron në thelb të këtij roli. Teksa gëzojnë ndjekje kulti nga popullata e Instagramit, shpesh Instakuratorët përqafojnë një praktikë shqetësuese: mos-kreditimin e burimit të postimeve, që mund të jetë një kurator tjetër apo vetë autori. Instagrami i lejon haptazi ripostimet, të cilat shpesh e mjegullojnë identitetin e krijuesit. Këtu lind një pyetje: kur autorësia nuk identifikohet, por vepra shpërndahet dhe si pasojë bëhët më e njohur, çfarë i mbetet artistit krijues? Kam identifikuar këtu dy qëndrime. Nga njëra anë krijimtaria zhvillohet, duke shfrytëzuar demokracinë semiotike (një mënyrë e sofistikuar për të thënë shumëllojshmëria e figurave dhe pamjeve), ndërsa nga ana tjetër autori privohet nga atribuitimi i autorësisë dhe potencialisht nga disa të drejta të tjera.

Argumenti se demokracia semiotike – ku të gjithë shpërndajnë, përdorin dhe remiksojnë veprat pa u shqetësuar për të drejtën e autorit – zhvillon krijimtarinë, bazohet në përqasjen e industrisë së modës ndaj të drejtës së autorit. Gjatë krijimit të veshjeve dhe aksesorëve të modës të gjithë frymëzojnë njëri-tjetrin. Injorimi që kjo industri i bën të drejtës së autorit dhe kultura e remiksit që ajo përqafon, thuhet se frymëzon krijimtarinë. Kur shfaqet një disenjo e re, stilistët e përshtasin dhe e zhvillojnë atë më tej, duke i dhënë jetë trendeve të reja.

Edhe ripostimet në Instagram kanë potencial për ta zhvilluar krijimtarinë në mënyrë të ngjashme – artistët bombardohen me art pamor nga i cili marrin detaje dhe i përvetësojnë, duke krijuar art të ri që frymëzon të tjerët. Ama nga ana tjetër, brandet e modës nuk rrezikohen nga kopjet falë mbrojtjes së ligjit për markat tregtare. E ke pyetur veten si ka mundësi që shumë shpejt pasi një disenjo haute couture shfaqet në pasarelë, një version pothuajse identik i tij gjendet në dyqanet e fast-fashion?

Gucci v Mango

Ndodh, sepse rrallë, shumë rrallë, disenjot e modës mbështeten tek e drejta e autorit. Mango dhe Zara përherë përshtasin disenjot e Guccit (mes të tjerash), por nuk pretendojnë se po sjellin produkte Gucci. Produktet që sjellin nuk mbartin markën Gucci dhe janë imitime, ndoshta kopje, por nuk janë fallco. Industria e modës nuk kërkon më të ndalojë imitimet, por të ndali pretendimet se një produkt i përket një marke, kur kjo nuk është e vërtetë. Ndryshe nga e drejta e autorit, markat tregtare janë gjithmonë à-la-mode (kupton?) sepse stilistët nuk motivohen nga të njëjtat ndjenja si artistët, prandaj pronësitë intelektuale që mbrojnë janë të ndryshme.

Artistët pamorë janë në një pozicion më të vështirë. @elesq postoi dikur se ligjet për të drejtën e autorit, në realitet, nuk janë krijuar për artistët. Këta të fundit nuk ndihen të mbrojtur në shumë nga mediumet ku shpërndajnë veprat, përfshi mediat sociale. Si fanse e punës së saj dhe njohëse e të drejtës së autorit, nisa të mendoj. E drejta e autorit lind automatikisht dhe qëndron me autorin gjatë gjithë jetës së tij, por a është kjo e drejtë e vërtetë nëse vetë autori nuk ja vjel frytet? Interneti komplikon gjithçka më tej. Lehtësia e shpërndarjes dixhitale të veprave dhe mungesa e kostove të kopjimit janë ndihmë e mirë për artistët. Nga ana tjetër, moskreditimi dhe kopjimi janë kërcënim serioz. Në Gusht 2019 zotëruesit e të drejtave muzikore të autorit me siguri i gëzoi vëmendja që morën nga Instagrami, me prezantimin e filtrave sonikë të cilët identifikojnë riprodhimet e paautorizuara, por artistët pamorë mbeten të pambrojtur.

Kështu, kundërargumenti ndaj punës së Instakuratorve i ka rrënjët në shkeljet potenciale të të drejtave morale të autorit (atribuimit), të drejtës së shfaqjes në publik (vetëm autori vendos nëse, kur dhe tek cili publik do ta shfaqi veprën, madje dhe nëse do të ndalojë së e bëri publike atë) dhe të drejtës së riprodhimit. Kjo lloj llogarie nuk duket se do ndalojë teksa numri i Instakuratorëve rritet. Profile të panumërta përmbledhin punë të artistëve të ndryshëm duke tërhequr ndjekës e bashkë me ta, famë e cila shpesh është më fitimprurëse sesa vetë puna krijuese. Krijuesi po bëhet thuajse demodé përballë kësaj superfuqie që njeh preferencat e ndjekësve dhe ju ofron çfarë duan.

Së fundmi, a mundet kurimi të jetë një formë e re arti? A mundet përzgjedhja, sekuenca dhe kombinimi i postimeve eventualisht të ofrojë mbrojtje sui generis për kuratorët në të ardhmen, njëlloj siç mbron bazat e të dhënave sot? Kjo pyetje ka shans të duket e panevojshme, por në një kohë kur diskutohet nëse ja vlen që një majmun të gëzojë të drejtë autori apo një AI të incentivohet, them se asnjë pyetje që synon të identifikojë mënyra të reja fitimi për subjektet njerëzorë nuk është e çuditshme. Autorët (sidomos kur këta janë kompani) kanë treguar se do të tentojnë të kapitalizojnë çdo format të krijimtarisë dhe shprehive, deri aty ku e lejon ligji. E mira është që kjo të mos ndodhi, sepse materiali kulturor lulëzon kur përdoret lirisht, megjithatë identifikimi i autorëve dhe ndalja e kopjeve meriton vëmendje të veçantë për artistët pamorë. Ndoshta platformat mund të përdorin filtra që identifikonë shkeljet edhe për materialin pamor, apo të ndalojnë fotot e ekranit (si Netflix)? Nuk e dimë, por me siguri ka informatikanë (ç’fjalë e bukur!) që do të na vinin në ndihmë.

Tani për tani, kujdesu të informosh ndjekësit se nga e more postimin, apo nëse je vet artist, nga u frymëzove, pasi kjo nuk e dobëson meritën tënde krijuese apo kuruese. Ka nje teori se asgjë nuk është origjinale, por të gjitha idetë burojnë nga ide të tjera dhe këtë do ta shtjellojmë së shpejti.