Ky artikull përmban spolier nga “The Playlist” në Netflix.

Kush i njeh subjektet e përmendur në foto, me gjasa i përket brezit që i fuqizoi këto platforma dhe u rrit me formulën e konsumit të përmbajtjes që ato krijuan. Ndër ta jam unë. Mbartin një nostalgji këmbëngulëse logot e Napster, Limewire, Pirate Bay, uTorrent e të tjera porta për të aksesuar dhe shkarkuar media lirisht, nga dhoma dhe kompjuteri yt, në çdo kohë.
Brez Z-ja duhet të kuptojë se kur unë doja albumin Stadium Arcadium nga RHCP (2006), m’u desh ta përfshija në listën e gjërave që do blija në vizitën e rradhës në Itali. Kushtoi diku tek 20 Euro. Normalisht nuk do kisha kohë fizike dhe sponsorizim të përhershëm nga prindërit për të blerë çdo album që doja. Madje disa as nuk i doja të plotë, sepse në ta më pëlqente vetëm një këngë. Këtu dilte në skenë formula konkurruese e platformave më sipër. Hyje në platformë me dial-up internet, kërkoje këngën, shpesh e gjeje dhe e shkarkoje në kompjuter. Këtë veprim e shoqëronin dy tipare:
1) Merrje përsipër riskun që bashkë me .mp3-shin të transferohej një virus, një file me cilësi të keqe apo versioni indian i këngës. Por ne kemi qenë brez i rrezikut, e përqafonim të panjohurën, prandaj mbartim trauma vegjëlie nga koncepte të thjeshta si kupat ( ͡~ ͜ʖ ͡° ). Natyrisht që të gjeje versionin e saktë do duhej punë kërkimore e palodhur dhe durim sa të shkarkohej kënga, por këto i bënim sepse shpërbleheshim me pikën dy.
2) Këngën e shkarkuar e zotëroje përherë, pa paguar asgjë. Përdoruesit ishin të lumtur me këto platforma, e mendo që po konsiderojmë këndvështrimin e dikujt që shkarkonte kryesisht muzikë, por konsumatorët e videolojërave dhe filmave prosperonin gjithashtu.
Kjo praktikë ishte e papranueshme për zotëruesit e të drejtave mbi këto produkte, pasi njerëzit nuk po blinin më disqe dhe aksesi i hapur (parimi se rezultatet e kërkimeve në rrjet duhet të shpërndahen pa kufizime apo tarifa) po ulte të ardhurat. Vlen të përmendet se nuk ishte vetëm shkarkimi pa para që i interesonte konsumatorit, por edhe ndryshimi i pashmangshëm i mënyrës së konsumit. Pavarësisht craftsmanship-it që i dedikohej aspektit fizik të disqeve (shumë nga to vinin me një libret tekstesh dhe shënime nga artistët, vetë dy disqet e Stadium Arcadium ishin disenjuar një si Jupiteri e tjetri si Marsi), unë nuk doja të prisja për të shkuar diku ku mund t‘i blija albumet, të rrezikoja që të mos i gjeja, të rrezikoja që prindërit të mos më sponsorizonin përjetësisht, e të tjera. Doja të dëgjoja muzikë në çastin që doja dhe në intimitetin e dhomës sime. Kthehemi tek problemi.
Zotëruesit e të drejtave nuk ishin të lumtur me formulën e paraqitur nga platformat pirate që ndanin përmbajtje nëpërmjet teknologjisë peer-to-peer. Napster ishte i pari ndër to që u përball me ligjin. Në vitin 2000, disa kompani regjistrimi, me nismën e Metallica, e paditën Napster-in me pretendimin se lejonte përdoruesit e tij të shklenin të drejtën e autorit, gjyq që përfundoi me shpalljen e platformës fajtore për contributory infringement ose accessory to infringement. Napster u mbrojt me argumentin se platforma nuk e shihte veprimtarinë e përdoruesve, si pasojë nuk dinte se çfarë shpërndanin në të, por Metallica i paraqiti gjykatës një listë me rreth 300k përdorues që kishin shpërndarë këngët e tyre ilegalisht. Me këtë, tregoi sa kollaj ishte marrja e këtij informacioni nga kushdo, jo më nga platforma vetë, e cila do duhej të parandalonte përdorimin e saj për veprimtari të jashtëligjshme.

Lars Ulrich (Metallica) në gjyqin e Napster
Për të kuptuar pse konsumatori kryente vepër penale, duhet sqaruar se rrjeti peer-to-peer funksionon duke marrë dhe dërguar file mes pajisjeve të përdoruesve, të lidhura në rrjet. Vetë marrja e file-t nuk përbën shkelje, por shpërndarja po. Napster shpalli falimentin një vit pas vendimit, megjithatë gjyqi vijoi për 7 vite kundër Bertelsmann, kompanisë që bleu Napster.
Ky gjyq është me rëndësi në historinë e të drejtës së autorit, nga njëra anë sepse goditi frymën e re të konsumit e nga ana tjetër sepse dëshmoi sesi mbajtësit e të drejtave e kishin të pamundur të ndiqnin ligjërisht secilin nga qindra miliona konsumatorët në mbarë botën, prandaj ndoqën ofruesin e shërbimit. Ishte hera e parë që përkufizohej koncepti i i “shpëndarjes në rrejt” (online sharing) dhe përforcohej ai i “contributory infringement” si formë e përgjegjësisë indirekte. Për të drejtën e autorit, ndryshe nga patentat, kjo formë përgjegjësie në shumicën e legjislacioneve nuk parashikohet shprehimisht, është më tepër koncept doktrinor.
Pak vite më vonë, në 3 mars 2009 në Suedi, zotëruesit e PirateBay u shpallën fajtorë për të njëjtin krim dhe u ndëshkuan me një vit burg, krahas 30 milionë kronave dëmshpërblim. Ishte një betejë që po merrte formë kundër idesë përherë më të fuqishme të aksesit dhe kulturës së hapur. Kompanitë e regjistrimit, të cilat përfitojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nga të drejtat e autorit, kishin gjetur mbështetjen ligjore për ta luftuar krimin e shpërndarjes së paautorizuar në rrjet. Ndër të tjera, ishte edhe shmangia e kësaj përgjegjësie penale që do të frymëzonte krijimin e Spotify.
Shkrimi përmban të dhëna nga materialet e listuara në vijim dhe të tjera të lidhura si hyperlink me fjalët kyçe në tekst.
- A&M Records, Inc. v. Napster, Inc., 239 F.3d 1004 (9th Cir. 2001)
- Bertelsmann AG v. IMPaLA – Case C-413/06 P (2007)
