Në vitin 1709, Giovanni Maria Farina ishte një alien: një italian në Gjermani. Zotëria ishte parfumier i përmalluar për vendlindjen e tij. Kur krijoi një aromë me nota bergamoti, limoni, vetiveri e jasemini, shkruajti se kjo aromë “i kujtonte mëngjeset italiane”, e megjithatë, i vendosi emrin e qytetit gjerman ku jetonte: Cologne. Mos e beso po deshe, por kështu u krijua e para “eau de cologne” në botë, një përpjekje pothuajse poetike për të burgosur nostalgjinë në një shishkë.
Këto nota sot janë të zakonshme, por Z. Farina ishte revolucionar për kohën e tij. Me gjasë ishte dhe i pashqetësuar nga kopjet, pasi në atë epokë, industrinë olfaktore nuk e kishte përfshirë frenezia e sotme, por konsistonte në sipërmarrje familjare e kujdesej për sekretet e prodhimit. Tanimë, shumica e parfumeve prodhohen nga korporata gjigande dhe parfumierët i huazojnë prodhuesve të ndryshëm hundën e tyre, e ndonjëherë edhe formulat.
Konsumatorët sot kanë mundësi të zgjedhin mes aromave origjinale, atyre që ngjanë me to dhe atyre që pretendojnë se janë të tilla. Si ka mundësi që gjithë këto aroma thuajse identike bashkëjetojnë? A nuk shkakton kjo bashkëjetesë konfuzion dhe a nuk i shqetëson ky konfuzion mbajtësit e të drejtave? Në fakt, blerësi i secilës kategori motivohet nga arsye tepër të ndryshme dhe kjo industri bujare ka alternativa për të gjithë. Teksa nuk mund të identifikojmë me siguri motivet, mund të spekulojmë falë njohurisë së ligjit.
Për të kuptuar këtë panoramë, duhet si fillim të ndajmë origjinalin nga derivatet e tjerë në treg:
Kopjet (counterfeits). Kjo është forma më e ulët e zhvatjes intelektuale dhe ndodh kur riprodhohet ekzaktësisht shishja dhe marka e një parfumi, pa i kushtuar vëmendje të veçantë aromës. Çmimet janë më të ulëta se origjinali, po ashtu edhe cilësia. Blerësi i kopjes nuk interesohet për kompleksitetin e aromës, por kërkon të krijojë përshtypjen se zotëron origjinalin. Prandaj këto aroma rrallëherë janë të këndshme, pasi theksi qëndron tek imazhi. Kopja është e jashtëligjshme dhe lehtësisht e dënueshme si e tillë.
Parfumet e frymëzuar nga të tjerë, të cilët nuk riprodhojnë fiks aromën dhe as shishen, por sjellin njëfarë ndjesie të ngjashme me një parfum ekzistues. Edhe këtu, çmimet janë më të ulëta dhe blerësit i zgjedhin sepse pëlqejnë estetikën apo ndjesinë e një parfumi të caktuar. Këta nuk pretendojnë se janë njëlloj si origjinali, nuk riprodhojnë markën dhe janë nuhatësit ata që pikasin ngjashmërinë, prandaj kjo qasje është përgjithësisht brenda kufijve të ligjit. Ky grup ekspozohet ndaj padive nëse përdor reklamim krahasues, por deri diku ruhen duke përdorur shprehjet “frymëzim, “ngjashmëri”, apo deklarata se nuk janë të lidhur me origjinalin. Nje shembull vjen nga Ambery Saffron, i cili përshkruhet si “Frymëzuar nga MFK Baccarat Rouge 540 (çmimi retail $665)“.

Duplikatët (ose klonet): Ju prezantojmë me Monsieur Dupe. Ai jeton te fleta e letrës që të zgjatet teksa kalon para një dyqani plot me shishe identike. Ti e nuhat, ndjen një déjà-vu të menjëhershme, teksa shoqja jote këmbëngul që është njëlloj si “Filan Parfum XXX€ e madje mban më gjatë”. Monsieur Dupe jeton gjithashtu në shtëpitë e modës që, pasi një kombinim notash fiton pëlqyeshmëri të lartë, i riprodhojnë ato nota ditë pas dite, derisa ti krijon përshtypjen kushdo lë pas të njëjtin silazh kohët e fundit.

Pikërisht kjo, është dredhia e tij famëkeqe, pasi Monsieur Dupe vepron me lejen e ligjit. Por si?
VËSHTIRËSITË LIGJORE NË MBROJTEN E AROMËS
Industria e parfumeve funksionon mbi një paradoks: është një perandori miliardash e ndërtuar mbi joshjen e të padukshmes, që merr pothuajse zero mbrojtje për vetë aromën.
Fansat dhe parfumierët i konsiderojnë parfumet vepra arti. Ama në sytë e pronësisë intelektuale, aroma është një miksim substancash kimike të avullueshme, të paqëndrueshme e të papërcaktueshme objektivisht. Por a nuk konsiderohet shprehia e autorit një formë e prekshme, sa kohë qëndron në trajtë lëngu brenda shishes?
Përgjigjen e kanë dhënë disa beteja për ta futur aromën nën strehën e së drejtës së autorit. Gjykata e Kasacionit në Francë (Bsiri-Barbir v. Haarmann & Reimer) u shpreh në qershor 2006 se krijimi i një parfumi është rezultat i një njohurisë teknike (savoir-faire), jo një shprehje intelektuale e mbrojtshme si vepër letrare apo artistike (oeuvre de l’esprit). Gjykata e Lartë Holandeze e sfidoi këtë logjikë po atë vit (Lancôme v. Kecofa), duke guxuar të ndante lëngun kimik nga përvoja olfaktore dhe duke i njohur parfumit mbrojtjen si vepër autorësie.
Disa beteja të tjera ligjore pasuan, me vendime kontradiktore, derisa në vitin 2018, Gjykata e Drejtësisë e BE-së (GJED) vendosi një standard (Levola Hengelo): që një krijim të konsiderohet “vepër autorësie”, ai duhet të jetë i identifikueshëm me saktësi dhe objektivitet të mjaftueshëm. Shqisa e nuhatjes njerëzore, e ndikuar nga faktori kohë, PH i lëkurës, temperatura dhe kujtesa personale, nuk ofron as saktësi e as objektivitet. Aroma avullon çdo minutë, ndërsa ligji kërkon kufij të ndarë qartë. Kështu, mundësia për të mbrojtur aromën si vepër autorësie avulloi tërësisht.
Pasi e drejta e autorit i mbylli dyert, aroma u detyrua të kërkonte strehim tjetër, si fillim te Sekreti Tregtar. Formula e parfumit mbahet e kyçur përmes kontratave me fabrikuesit e esencave si Givaudan apo Firmenich. Por sekreti tregtar mbron vetëm nga tradhtia e brendshme, jo nga analiza e jashtme, apo reverse-engineering. Sot, teknologjia GC-MS (Gas Chromatography-Mass Spectrometry) mundëson dekonstruktimin e një formule brenda pak minutash. Monsieur Dupe nuk ka nevojë të vjedhë emrin. Ai zbërthen piramidën olfaktore dhe e riprodhon atë me kosto minimale, pa kryer asnjë shkelje ligjore.
Aroma ka kërkuar ndihmë edhe te Patentat, përmes patentimit të molekulave sintetike unike të krijuara në laborator (captives) në ato pak raste kur ia del të provojë se ka risi, aplikim në industri dhe hap shpikës. Megjithatë, kur patenta skadon pas 20 vitesh, ekskluziviteti zhduket. Për më tepër, përbërësit ndryshojnë shpesh si pasojë e kufizimeve rregullatore, ndërsa riformulimet me përbërës të njohur rrallëherë plotësojnë kushtet për patentim, duke e bërë këtë rrugë pothuajse të pashfrytëzueshme për mbrojtjen e lëngut.
Aroma ka tentuar të mbrohet edhe si Markë Olfaktore, por u gjend përballë vendimit historik Sieckmann (C-273/00). Kur Ralf Sieckmann tentoi të regjistronte aromën si markë, duke paraqitur formulën kimike, përshkrimin e aromës dhe një mostër, GJED përcaktoi se një markë jo-vizuale duhet të jetë e paraqitshme në mënyrë të qartë, precize, të qëndrueshme dhe objektive (ndër të tjera kritere kumulative). Pamundësia e aromave për të plotësuar këto kritere e vështirësoi më tej mbrojtjen e tyre si markë tregtare.
ÇFARË MBROHET, ATËHERË?
Duke qenë se ligji nuk garanton mbrojtje për atë që ti nuhat, industria e parfumeve e ka zhvendosur mbrojtjen tek ajo që ti sheh: shishja dhe ambalazhi.
Streha më e sigurt për parfumet mbetet mbrojtja përmes markave tregtare për emrin/logon; markave 3D dhe disenjos industriale për shishet; trade dress për ambalazhin që arrin të ngulitet në memorien a konsumatorëve dhe të drejtës së autorit, kryesisht për paraqitjen grafike të ambalazhit. Në disa raste të caktuara, kur një dupe kalon kufirin e frymëzimit, mbështetja e fundit mbetet e drejta e konkurrencës. Megjithatë, edhe kjo e drejtë nuk ndalon riprodhimin e aromës, por përdorimin e truqeve që dëmtojnë origjinalin, gjatë marketingut për duplikatin.
DESIGNER V NICHE
Kjo mbrojtje mjafton për disa, por njëherazi ekspozon një ndarje të thellë strukturore, në këtë peizazh ku ligji refuzon të mbrojë aromën. Këtu vlen të bëjmë dallimin mes dy botëve: shtëpive të mëdha tregtare të modës (designer houses) dhe parfumierëve niche (niche perfume houses). Këta të fundit, prodhojnë ekskluzivisht aromë.
Për shtëpitë e modës, parfumi është zgjatim i brandit. Parfumet e tyre nuk lindin nga frymëzimi, por nga synimi për të shitur produkte të suksesshme, me kosto sa më të ulët prodhimi. Në planin e pronësisë intelektuale, këto shtëpi janë të mbrojtura plotësisht sepse aseti i tyre kryesor nuk është formula, por marka tregtare, shishja e madje dhe imazhi ambasadorit të brandit. Vëreni dhe ndryshimin estetik mes dy botëve.

Për shtëpitë niche, nga ana tjetër, protagonist mbetet lëngu. Prodhimi bëhet në seri të kufizuara, me përqendrime më të larta të vajrave esenciale, lëndë të para të rralla ose natyrale dhe përbërje olfaktore polarizuese, që sfidojnë shijen e shumicës. Këto shtëpi punojnë ose me hundë të pavarura, ose me fabrikues të specializuar. Për një shtëpi niche, aroma nuk është aksesor i një marke, por vetë vepra.





Nga këndvështrimi i pronësisë intelektuale, shtëpitë niche janë subjekti më i pambrojtur në treg. Mbështetja në identitetin olfaktor e bën biznesin e tyre të varur nga një aset që ligji refuzon ta mbrojë. Një shtëpi niche investon vite për zhvillimin e një note unike, për ta parë atë të zbërthehet brenda pak javësh. Kushdo mund të padisë kopjen e markës tregtare, por kur famëkeqi Monsieur Dupe kopjon aromën, shtëpive niche u mbetet vetëm besnikëria e një komuniteti që vlerëson artizanatin krahas ambalazhit.
Ka njëfarë ironie të heshtur në këtë fenomen. Duke refuzuar mbrojtjen e aromës, ligji, pa dashur, ruan thelbin e saj: përvojën që nuk mund të kyçet në një regjistër, por vetëm në kujtesë, përpara se të avullojë.
Bibliografi & Referenca:
“Chemical romance: How did chemists become the greatest force in fragrance?”, Erin McAvoy, 10 Dhjetor 2010
“Lost and Found: Intellectual Property of the Fragrance Industry; From Trade Secret to Trade Dress”, Charles Cronin, 2 Shkurt 2016
“Trade Dress at a Glance: Protecting the Look and Feel of a Product, W. Drew Kastner”, 20 Korrik 2023
“Perfume brands fighting a ‘lost cause’ against cheap dupes, say lawyers, Donna Ferguson”, 12 Prill 2025
Shkrimi përmban të dhëna nga referencat e mësipërme, vendimet gjyqësore të përmendura, si dhe nga burimet e lidhura me hyperlink në tekst.



















