A b*tch, a painter, f*cked.
Problemet ligjore të papërziera me detaje nga jeta e subjektit, janë thjesht fakte. Ti nuk erdhe këtu për faktet, po sepse vrave mendjen ç’ishte ai titull apo pse ajo pikturë. Nëse je viktimë e kohës tënde, për pikturën mund t’i biesh shkurt duke parë këtë video. Po nëse do të kuptosh përtej tablosë, duhet të rrish e të sqarojmë sesi marrëdhënia e Fridës me pronësinë intelektuale është komplikuar nga ca shaka pa kripë të fatit, që, pasi ajo ndërroi jetë nuk u shprehën më në telajo, por në një seri veprimesh që e ringjallën – si brand.
Frida lindi dhe vdiq në muajin korrik. Asaj i pëlqente të thoshte se ka lindur bashkë me Revolucionin Meksikan, prandaj deklaronte vitin 1910 si datëlindje (në fakt, ishte 1907).1 Këtë vit, vepra e saj u bë pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore, ose domenit publik. Kjo vlen për vendet ku e drejta e autorit zgjat 70 vite post mortem, e këtu përfshihet edhe Shqipëria.2 Pra, kushdo në këto vende mund ta përdorë veprën e saj lirisht; ta ndryshojë, monetizojë, apo përdhosi nëse do, pasi trashëgimtarët nuk gëzojnë më të drejta mbi të, kështu? Jo. Ndër tiparet kryesore që i veçon trashëgimtarët e saj nga Frida, është përqafimi i kulturës së konsumit. Më i zellshëm në këtë punë është një entitet i quajtur Korporata Frida Kahlo (Frida Kahlo Corporation, FKC).
FKC ka nisur shumë beteja ligjore kundër atyre që prodhojnë, publikojnë e shesin objekte të frymëzuara nga veprat apo imazhi i Fridës. Rasti i fundit është padia e vitit të shkuar në gjykatën e rrethit të Illinois,3 ku FKC kërkonte nga një grup shitësish në Amazon, 2 milionë $ për çdo shkelje të markave tregtare që ky entitet zotëron, e që janë të shumta.
“Po ç’punë ka piktorja e ndjerë me markat?” – do thuash ti.
Për ta sqaruar duhet të nisim me të drejtën e imazhit (derecho de imagen), një e drejtë pasurore dhe e trashëgueshme, që garanton përdorimin e (dhe kundërshtimin ndaj përdorimit të) emrit, pamjes ose indikatorëve të tjerë të një personi, në raport me të drejtën e autorit, por jo vetëm.4 Një e drejtë e njohur në Meksikë, por që shuhet 50 vite pas vdekjes së personit. Kjo do të thotë se në vitin 2004, trashëgimtaret e Fridës – mbesa Isolda Pinedo Kahlo dhe stërmbesa Mara Cristina Romero Pinedo – kuptuan se duheshin gjetur mënyra të reja për të përfituar nga imazhi i Fridës e për të ndalur këdo që riprodhonte elemente të tij. Për këtë iu drejtuan markave tregtare dhe me një biznesmen venezuelan, bashkëthemeluan FKC.

Synimi i FKC është si puna e “Dy Fridave”: dual. Faqja e internetit shpall: “të dedikuar të edukojmë, ndajmë dhe ruajmë artin, imazhin dhe trashëgiminë e Frida Kahlos”. Ndërsa veprimtaria e tyre tregtare bërtet: “përjetësimi i Frida Kahlos si burim fitimi, përmes mbrojtjes së çdo shprehie të mundshme të identitetit të saj.”
Për vite me radhë, FKC ka regjistruar si marka tregtare tiparet e autoportretet e saj, e gjithashtu emrin, firmën, pseudonimin dhe fraza nga ditari. Një kërkim në databazat e EUIPO nxjerr 400 marka të regjistruara nga FKC dhe 140 që presin regjistrimin, pothuajse 5-fishi veprave që Frida krijoi gjatë jetës. Natyrisht, të gjitha këto marka përdoren në tregti (sepse ky është kusht për mbrojtjen e markës), prandaj imagjino morinë e produkteve që qarkullojnë nën to.
Kur trashëgimtare ligjore e Fridës mbeti stërmbesa, Mara Romero, mes saj dhe FKC nisën problemet. Palët janë përballur në gjyq kur Mattel (kompania pas Barbie-t) krijoi kukullën në nder të Fridës, që më shumë nderonte Dolce & Gabbana P/V 2015, sesa Fridën. Familja paditi FKC, të cilët kishin autorizuar imazhin e kukullës. Një betejë e komplikuar ligjore nisi në Meksikë dhe pasoi në Florida, ku FKC kundërpaditi Mara Romeron për përdorim pa leje të emrit dhe pamjes së Fridës – të dyja marka të regjistruara nga FKC. Po po.
Një gjyq tjetër interesant, por jetëshkurtër, gjeti Mara Romeron të paditur nga FKC, për paralajmërimet për ndalimin e shkeljes (Cease & Dessist) që u kishte dërguar subjekteve të licensuara nga paditësi, që po bënin një ekspozitë në nder të Fridës.5 Shkurtimisht, palët janë në konflikt dhe garë të vazhdueshme se kush shet më shumë Frida.
Ata e ruajnë imazhin e Fridës me fanatizëm, të vetëdijshëm se më shumë se ata vetë, imazhin e saj e shfrytëzon industria e konsumit. Ndoshta ju kujtohet sesi në krye të dekadës së shkuar mori dhenë estetika tehuaneze me ngjyra të ndezura e lule në flokë të gërshetuar. Frida ishte muza e koleksioneve Moschino 2012, Lena Hoscheck 2013, Alberta Ferreti 2014, Valentino e Missoni 2015.6 Pastaj Dolce & Gabbana nxori një varg koleksionesh, ku shprehjet tradicionale spanjolle përziheshin me elemente të Fridamanisë, në atë kohë kryetrend. Nuk ngeli vajzë e agjenci marketingu në mbarë botën, përfshi Shqipërinë, pa lule në kokë. Vetë Beyonce u vesh si Frida për Halloween 2014.

Ky trend vazhdoi për vite me radhë, i shkëputur nga konteksti kulturor dhe qëllimi politik që i kishte dhënë Frida, the original influencer. Nuk ishte vetëm respekti dhe adhurimi për Meksikën që e frymëzonte të vishej në atë formë, por edhe synimi për t’u distancuar sa më qartë nga Gringolandia dhe “k*çkat artistike të Parisit”.7
Aq shumë koleksione janë frymëzuar nga Frida, sa më 2018 VOGUE mbajti ekspozitën “Frida Kahlo. Përtej Mitit” në Muze MUDEC në Milano. Ama koleksioni më i bukur ka ardhur më pas dhe ka respektuar vijën e hollë që ndan imitimin e stilit nga nderimi i personit: e kam fjalën për DIOR Défilé Croisière 2024. Pastaj edhe FKC bashkëpunoi me Puma, Vans e Shein për këtë punë, po nuk ia vlen të ndalemi.8

Le të nxjerrim një mësim doktrinor: ka gjithmonë mënyra për të mos respektuar frymën e ligjit. Konkretisht, ligji për të drejtën e autorit është një monopol i kufizuar në kohë, që pasi shpërblen autorin, ia dhuron veprën shoqërisë për ta gëzuar atë, të lirë. Megjithatë, realiteti juridik lejon që vdekja e të drejtës së autorit të lindë markën, pasi këto dy të drejta ekzistojnë dhe pushojnë së ekzistuari të pavarura nga njëra-tjetra. Ky parim i mirënjohur, i aplikuar në praktikë po bëhet përherë e më famëkeq pasi po përjetëson monopolet. Vepra të mirënjohura të Disney-t9 kanë gjetur rrugën drejt mbrojtjes si marka tregtare e “Princi i Vogël” për pak u kthye në markë produktesh kancelarie në Kili.10 Mona Lisa dhe veprat e Rembrandt-it e gjejnë veten vazhdimisht si shembuj të suksesit kur kalon kufirin analog-digjital, e po ashtu të praktikave joetike tekno-ligjore. Këto ngjarje po tërheqin vëmendjen e akademikëve dhe po sjellin vendime të rëndësishme gjyqësore, ku rendi publik dhe morali janë faktorët kryesorë për refuzimin e mbrojtjes me marka tregtare të veprave në domenin publik.11
Ama, ka vend dhe për një mësim tjetër: nuk ka norma që ta shuajnë urinë e tregut. Ka gjithmonë mënyra për ta copëtuar më tej një njeri të bërë copash, duke e kthyer në markë, në produkt në masë, të aksesueshëm, të pashëm, pa protestë. Produkte të panumërta mbartin imazhin e dikujt, që mund të brandohej lehtësisht falë dallueshmërisë së lartë, e gjithashtu falë zgjedhjes për ta injoruar identitetin e saj, përtej atij pamor.
Sipas këtij artikulli, një shembull i fuqishëm i distancës mes asaj që Frida ishte dhe asaj që është sot, qe prania e saj në byzylykun e Theresa May-t, teksa këtë të fundit e mbyti kolla gjatë fjalimit në Konferencën e Partisë Konservatore.

Heroina politikisht korrekte e çdo minoriteti të lënduar,12 e dashura e të dashurave të ish-burrit të saj, “mjeshtrit të muraleve” për të cilin tha: “s’është keq për një djalë të vogël, por jam unë artistja e madhe.” Gjermano-izraelitja meksikane, komuniste, nacionaliste, e zëshme në qarqet antikapitaliste dhe anti-imperialiste të rinisë së saj, është bërë sinonim i konsumizmit. Një audio virale në TikTok, me zërin e Salma Hayek. Monovetulla e saj është mustaqja mileniale, është kupa Stanley dhe sandalet Hermès Oran.
Kur fjongoja u zgjidh, bomba shpërtheu në 9 miliardë copëza. La pas një trashëgimi aq të pasur, sa e bëri të pamundur ta respektojnë njeriun që ishte.
Bibliografi & Referenca:
- https://www.fridakahlo.org/frida-kahlo-facts.jsp ↩︎
- Ligj Nr. 35/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022), Neni 41/1. ↩︎
- https://www.courthousenews.com/frida-kahlo-corporation-files-suit-for-trademark-violations-over-anticapitalist-artists-image/ ↩︎
- https://www.inta.org/topics/right-of-publicity/#:~:text=The%20right%20of%20publicity%20is,or%20photograph%E2%80%94for%20commercial%20benefit ↩︎
- https://www.courthousenews.com/11th-circuit-wades-into-tug-of-war-over-frida-kahlos-image/ ↩︎
- https://www.fridakahlo.it/en/fashion.php ↩︎
- https://news.artnet.com/art-world/art-bites-frida-kahlo-hated-surrealists-2456251 ↩︎
- https://itsartlaw.org/2024/06/20/owning-frida-kahlo-the-frida-kahlo-corporation-and-trademark-law/#post-65542-footnote-4 ↩︎
- https://web.law.duke.edu/cspd/mickey/ ↩︎
- https://alessandri.legal/en/public-domain-and-industrial-property-perpetuation-of-trademark-protection/ ↩︎
- https://academic.oup.com/grurint/article/71/1/3/6349172 ↩︎
- https://www.vanityfair.com/culture/1995/09/frida-kahlo-diego-rivera-art-diary ↩︎













