Tag: digitalpiracy

  • FILMA ME TITRA GABIM

    Nëse në Google kërkon togfjalëshin ‘filma me titra shqip‘, në varësi të lokacionit do të hasësh 4 faqe filmash të cilat kanë përmbajtje surprizuese. Fillimisht duket infrastruktura komode ku mund të zgjidhni çdo film apo dokumentar, edhe ata të sapodalë në tregun ndërkombëtar. çështja e dytë me interes është se ky shërbim është pa pagesë. Duke pasur parasysh mbajtësit e të drejtave të autorit, do të doja të dija si këto faqe mirëmbajnë infrastrukturën e tyre të përsosur, duke ofruar një shërbim falas? Përjashtojmë këtu ideologji Zuckiste si Senator, we run ads. Nëse do të mendoja që zotëruesit e faqes paguajnë detyrimet e tyre ndaj mbajtësve të të drejtave dhe më pas ofrojnë produktet duke gjeneruar të ardhura nga reklamat, do të vrisja mendjen përse shërbimi që këto platforma ofrojnë falas, nuk është falas në asnjë vend ku të drejtat ekskluzve të autorit përforcohen me sukses.

    Nëse dikush ka vizituar një nga këto faqe, ndoshta ka vërejtur se pirateria dixhitale është problematike në disa aspekte të kuptueshme për këdo. Fillimisht, reklamat ndaj të cilave ekspozohemi sapo klikojmë janë të pashëndetshme dhe na ridrejtojnë në faqe të tjera, të cilat shpesh kompromentojnë pajisjen/të dhënat tona personale. Së dyti, përmbajttja e filmave është e pafiltruar për minorenët (çka në platforma korrekte kontrollohet nëpërmjet llogarisë që madhorët hapin me të dhëna personale financiare, duke pasur garanci të shkruar nga platforma për mënyrën sesi dhe në ç’masë do të përdoren këto të dhëna). Së fundmi, cilësia e përkthimit është tepër e ulët dhe si pasojë e dëmshme për vizitorët që i përdorin titrat si praktikë për përmirësimin e një gjuhe të huaj.

    Në një platformë ligjore, të gjitha këto elemente do të kuroheshin. Gjithashtu, bazuar në ligjin për tregtinë elektronike këto platforma konsiderohen B2C (biznes – konsumator) dhe detyrohen mes të tjerash, të shpallin adresën e plotë, postën elektronike dhe numër kontakti – nëse ka – në faqe, ku vizitorët të kontaktojnë lirisht për sigurinë e aksesit dhe gjithçka tjetër. Asnjë nga këto faqe nuk ka informacionin mbi të dhënat e zotëruesve dhe dy nga to kanë nga një formular kontakti ku kërkohen të dhënat e klientit (emër, adresë e-maili), çka nuk këshillohet të dërgohet sepse nuk ka informacion mbi marrësin dhe mënyrën e trajtimit të tyre. Mënyra sesi trajtohen të dhënat tuaja dhe siguria e shërbimit i bëjnë platformat pirate më të shtrenjta se ato me pagesë, edhe nëse përmbajtja e tyre ofrohet falas.