Ka një teori se nuk ke bërë yoga nëse nuk ke provuar asnjëherë Bikram Yoga. Janë 26 poza që praktikohen gjatë 90 minutave në një dhomë me temperaturë 41 ͦC dhe me nivel lagështie 40%, me synim që të imitojnë klimën e Indisë. Njihet edhe si yoga e nxehtë, por gjerësisht njerëzit i drejtohen me emrin e njeriut që e popullarizoi, Bikram Choudhury.

Bikrami në dhanurasana
Bikrami është një yogi nga Kalkuta i cili u transferua në SHBA më 1971 dhe filloi të japi mësime yoge në disa resorte kaliforniane. Stili i tij ishte shokues për shumë studentë të rinj. Për shkak të natyrës së tij tejet karizmatike e të pazakontë, krahas aftësisë mbresëlënëse fizike, Bikrami fitoi popullaritet të gjerë në rrethet e larta të shoqërisë dhe politikës amerikane. Yje të skenës artistike dhe zyrtarë qeveritarë janë trajnuar nga ai. Bikrami fitoi shumë sukses pasi ishte i zoti në marketimin e personit të tij, krijoi një farë brandi të fortë personal.

Jackson, Bikram, Jones
Klasat e tij ishin tejet të vështira, por gëzonin simpati dhe kërkesa për to ishte e lartë. Në këto kushte, Bikrami filloi të ofronte kurse për mësuesit, nëpërmjet të cilave ia mësonte teknikën e tij praktikuesve që në përfundim të kursit, do të fitonin të drejtën për të ofruar klasa sipas teknikës së tij dhe nën emrin e tij. Kursi për mësuesit zgjaste 9 javë dhe bëhëj në hotele ku studentët pushonin, ndiqnin klasat dhe nuk lejoheshin të dilnin.
Ndër të dhënat për kurset për mësuesit nga Bikrami, disa janë problematike. Bikrami është paditur nga 6 studente për abuzim seksual si dhe është akuzuar nga shumë të tjera. Në mospërmbushje të vendimit të gjykatës dhe detyrimeve që burojnë nga vendimi, Bikrami është arratisur nga SHBA. Bikrami vijon të ofrojë kurse për mësuesit nën të njëjtat kushte jashtë SHBA-ve, çka është shqetësuese, dhënë faktin që nuk tregon asnë pendesë, nuk përmbush detyrimet e madje është agresiv ndaj akuzave, medias dhe kujtdo që përmend këto raste. Këto mund t’i ndiqni në një dokumentar të titulluar “Bikram: yogi, guru, predator”, ndërsa ky shkrim fokusohet tek marrëdhënia e Bikramit me pronësinë intelektuale.
Në vitin 2011 Bikrami paditi fillimisht studion Yoga to the People në Nju Jork dhe më pas studion Evolation Yoga në Florida. Studiot, drejtuar nga ish-studentë të tij, ofronin yoga të nxehtë në stilin e Bikramit, që nënkupton se gjatë klasave ushtroheshin 26 pozat e Bikramit, ndër të cilat 24 asana (poza fikse) dhe dy pranayama (teknika frymëmarrje). Temperatura, lagështia dhe kohëzgjatja ishin gjithashtu njëlloj me klasat e Bikramit.
Pretendimi i Bikramit ishte se këto studio shkelnin të drejtën e tij të autorit në sekuencat që përbëjnë kursin Bikram Yoga, bazuar në librin “Klasa Fillestare për Yoga nga Bikrami” (Bikram’s Beginning Yoga Class). Bikrami pretendoi se mbrojtja i garantohej nga Neni 103(a) i Aktit për të Drejtat e Autorit (në vijim 17USC) si kompilim (selektim, koordinim dhe kombinim i lëvizjeve) dhe nga Neni 102(a)(4) 17USC si vepër koreografike. Pretendimet u hodhën poshtë nga gjykatat e Nju Jorkut e Kalifornisë, si dhe nga Zyra e të Drejtave të Autorit në SHBA (në vijim USCO), interpretimet e të cilave ndihmojnë në qartësimin e objektit të së drejtës së autorit.
Si fillim, 3 vite para se të dilte vendimi i Gjykatës së Apelit (ku Bikrami e ankimoi vendimin e Gjykatës së Kalifornisë), USCO nxorri një Deklaratë Politikash (Statement of Policy). USCO kishte njohur në të shkuarën të drejtë autorësie ndaj kompilimeve, rezultateve të selektimit dhe vendosjes së së të dhënave në një seri. Megjithatë, pas padive të ngritura nga Bikrami, e njëjta zyrë sqaroi se të drejtat e njohura deri në atë çast ishin bërë në gabim, pasi linin hapësirë për keqkuptimin se çdo kompilim mund të gëzonte mbrojtje. Duke analizuar gjuhën e 17USC dhe vendime të shkuara, u sqarua se përmbledhja e fakteve apo ushtrimeve ekzistuese nuk mund të mbrohet dhe nuk përfshihet në përkufizimin statutor të “kompilimit”. Duke qenë institucioni administrativ i mandatuar nga Kongresi për caktimin e objektit të të drejtës së autorit, gjykata mund t’i delegojë USCO-së juridiksionin për interpretimin e 17USC, në përmbushje të asaj që njihet si judicial deference (ose Chevron deference, sipas rastit në të cilin u vendos precedenti nga Gjykata Supreme).
Në vendimin përmbledhës të vitit 2015, Gjykata e Apelit shprehej se “e drejta e autorit mbron vetëm shprehjen e ideve, jo idetë në vetvete”. Në SHBA shprehja e ideve duhet të jetë e fiksuar në mënyrë të prekshme, që mundëson perceptimin objektiv të materialit. I tillë do të ishte vizatimi i sekuencave në letër ose një video që ka regjistruar sekuencat. Vetë vizatimi dhe videoja do të mbroheshin, jo pozat që paraqiten në to.
Sekuencat e yogas nuk mbërrijnë në nivelin e koreografisë, e cila nga ana e saj gëzon mbrojtje nga 17USC. Megjithatë, arsyeja përse nuk konsiderohen si koreografi është me interes. Yoga dhe rrjedhimisht pozat e saj, i shërbejnë përmirësimit të gjendjes shëndetësore të praktikuesit, asaj fizike ose mendore. Kështu, në sytë e 17USC është një kombinim ushtrimesh fizike, të cilat nuk janë objekt i të drejtës së autorit. Vetëm selektimi, koordinimi dhe kombinimi i fotografive, vizatimeve ose shkrimeve që përshkruajnë ushtrimet/sekuencën e ushtrimeve mund të mbrohen.
Kjo lidhet me natyrën e veprave objekt i të drejtës së autorit. Synimi i tyre nuk është funksional, një cilësim që përbën interes në raport me disenjot. Një pjesë e legjislacioneve të BE-së (psh. Portugalia) garantonin mbrojtje për disenjot vetëm në rast së mbartin meritë artistike, megjithatë ky është një këndvështrim subjektiv dhe rrjedhimisht i pamatshëm. GJED e ka interpretuar këtë në disa çështje, por e përmblodhi në Cofemel (2019), duke thënë se vendet nuk mund të kundërshtojnë mbrojtjen e një vepre së cilës i mungon aspekti estetik, pasi ky aspekt nuk perceptohet njëlloj nga të gjithë.
Vendimtar në dhënien e mbrojtjes duhet të jetë koncepti mbarë-evropian i origjinalitetit, i cili nënkupton se autori ka bërë zgjedhje të lira dhe krijuese, që reflektojnë karakterin e tij. Ky përkufizim i risjellë shpesh nga GJED mbart, në rastin konkret, një element të shtuar: që zgjedhjet e lira dhe krijuese në referencë të disenjove, janë ato që nuk diktohen nga funksionaliteti i veprës. Pra, nëse vepra ka një formë osë një pamje që është e tillë sepse i shërben funksionit të saj, nuk do të gëzojë mbrojtje. Ngjashëm, pozat dhe lëvizjet që formojnë sekuencat e yogas i shërbejnë funksionit të yogas në vetvete, përmirësimit të shëndetit.
Qëndrimi i USCO për Bikram Yoga nuk rrjedh nga kërkesat e mësipërme pasi ato i përkasin BE-së; në SHBA, origjinaliteti perceptohet si “vepër e krijuar individualisht nga autori, duke përdorur një minimum krijimtarie”. Ndoshta edhe në BE sekuencat nuk do të mbroheshin sepse nuk dëshmojnë mjaftueshëm origjinalitet në vetvete, duke qenë se standarti i origjinalitetit është i lartë dhe jo minimal si ai i SHBA. Kjo do të ishte e drejtë, pasi ironikisht, kur fama e Bikramit mbërriti deri në atdheun e tij, doli në dritë dhe fakti se gjithcka që ai mësonte nën emrin e tij, ishte në fakt përsëritje e mësimeve të mësuesit të tij, yogit Bishnu Charan Ghosh, i cili kishte ndërruar jetë kur filloi karrierën Bikrami.

Bishnu Charan Ghosh
Bishnu gëzon status legjendar për praktikuesit e hershëm të yogas. Ai është autori original i metodës, praktikës dhe synimeve të asaj që njihet si Ghosh Yoga, baza thelbësore e Bikram Yoga-s. Familja Ghosh ka qenë e njohur në realmin e praktikuesve dhe entuziastëve të yogas, pasi vëllai i Bishnus është vetë Paramahansa Yogananda (e di, vështirë të lexohet) i cili ka shkruar Autobiografinë e një Yogi (1946), libër i njohur ndërkombëtarisht e që luajti rol të madh në prezantimin e kulturës së yogas dhe spiritualizmit indian në perëndim. Në këto kushte, fakti që Bikrami i dha emrin e vet sekuencës së krijuar nga mësuesi i tij, mund të përbëjë shkelje etike të autorësisë dhe gjenisë së Bishnut, por jo më tej. Le që ka edhe më tej: një praktikë disa mijëra vjeçare si yoga mund të kualifikohet si shprehje kulturore tradicionale, duke u përjashtuar plotësisht nga objekti i pronësisë intelektuale.
Në këto kushte, nëse një yogi/ni vendos të hapi një studio ku mëson yoga të nxehtë, mund të japi lirisht mësim sipas teknikës Bikram/Ghosh, për aq kohë sa nuk përdor “Bikram” në titullin e studios, pasi atëherë më gjasa do të përballej me shkelje të markës famëkeqe tregtare të Bikramit.
Shkrimi përmban të dhëna nga materialet e listuara në vijim dhe të tjera të lidhura si hyperlink me fjalët kyçe në tekst.
- Dokumenti 77 FR 37605, Regjistrimi i Pretendimeve mbi të Drejtën e Autorit, Regjistri Federal USCO (2012)
- Chevron U.S.A., Inc. v. Natural Resources Defense Council, Inc., 468 U.S. 837 (1984)
- Bikram Yoga College of India v. Evolution Yoga, LLC, WL 5845415 (2015)
- Cofemel – Sociedade de Vestuário SA v G-Star Raw CV C-683/17
- Feist Publications, Inc. v. Rural Telephone Service, Co. 499 U.S. 340 (1991)
- Ghosh Yoga – History and Teachers < https://www.ghoshyoga.org/history–teachers.html >
