Ky artikull përmban spoilers mbi “The Playlist” në Netflix.
Spotify u hodh në tregun suedez në vjeshtën e 2008-ës dhe unë e përdora për herë të parë versionin premium 10 vite më vonë, në vjeshtën e 2018-ës. Isha në Gjermani dhe pata akses të plotë në platformë. Pas epokës së RealPlayer dhe TuneIn, kisha provuar platforma me pagesë si Apple Music, por nuk krahasoheshin me ndërfaqen dhe përvojën që ofronte Spotify. Kur u ktheva në Shqipëri, isha e gatshme të paguaja vetëm për të mos e humbur përvojën, por platfroma nuk ishte e disponueshme tek ne. Në 15 korrik 2020, më erdhi njoftimi se Spotify ishte hedhur në tregun shqiptar. Duken vogëlsira, por teknologjia është e rëndësishme. Liria, komoditeti dhe personalizimi i përdorimit të një platforme e ndikon përditshmërinë në vetë cilësinë e saj
Spotify u zotua të bënte bashkë më të mirën e të dyja botëve: akses i hapur për konsumatorët dhe pagesë e detyrimeve ndaj mbajtësve të të drejtave. The Playlist, seriali më i ri në Netflix, në 6 episode tregon historinë e origjinës së Spotify. Secili episod është ndërtuar nën këndvështrimin e aktorëve që ndikuan dhe u ndikuan nga Spotify: vizionari dhe CEO i saj, CEO i Sony Sweden, investitori kryesor, koduesi që mundësoi luajtjen e këngës pa asnjë milisekondë vonesë (objekt i patentës së parë të Spotify, nga 752 sot), juristja që formuloi gjenerimin e të ardhurave nëpërmjet nënshkrimit premium dhe në fund, artistja.
Ka dy simbolika në mënyrën si është ndërtuar seriali. Gjatë 3 episodeve të para, PirateBay është shumë i pranishëm, ndërsa në 3 të dytat nuk përmendet fare. Në të njëjtën mënyrë, kur Spotify u hodh në treg, PirateBay kishte mbi 10 milionë peers (kujto teknologjinë peer-to-peer), ndërsa gjyqi ndaj tij ishte fjala e momentit. Por Spotify u përqafua aq shpejt nga përdoruesit sa platformat pirate humbën terren, sepse shërbimi i tyre falas ishte i lodhshëm e i panevojshëm përballë një opsioni shumë cilësor me çmim shumë të ulët.
Së dyti, përmbyllja e serialit me perspektivën e artistëve luan me idenë se ata janë të fundit që merren në konsideratë gjatë luftës së pushteteve në industrinë muzikore. Duket se artistët janë më të rëndësishmit, sepse krijojnë veprën që shet, por tragjikisht vetë përfitojnë më pak nga të gjithë. Duket e pabesueshme, pasi nëse artistët tërhiqen nga sistemi, nuk do të ketë më një produkt për të shitur. Prej vitesh ekziston një lëvizje kundër Spotify-t nga artistët, ku Taylor Swift ka qenë shumë e pranishme dhe konfuze, tashmë zëvendësuar nga Neil Young.
Serali përmbyllet me një skenar fiktiv të së ardhmes ku Spotify përgjigjet para Senatit amerikan për monopolizim të tregut për streaming. Përdoruesit nuk heqin dorë nga platforma falë përvojës, ndërsa artistët e pakënaqur nuk heqin dorë prej përmasës së tij në treg. Sigurisht, disa largohen, por pjesa më e madhe qëndrojnë. Të ardhurat kalojnë nga Spotify tek kompanitë e regjistrimit, të cilat nga ana tjetër zotërojnë aksione në Spotify, çka e vendos platformën në pozicion dominues për industrinë streaming, në shkelje të së drejtës së konkurrencës. Artistët në skenarin futurist të episodit të fundit kërkojnë një ligj të posaçëm që do të detyronte platformën t’u paguajë një tarifë fikse për çdo klikim në këngët e tyre.
Në realitet, nuk e përcakton Spotify sa do paguhen artistët, por kontratat e tyre me kompanitë e regjistrimit. Spotify lidh marrëveshje me kompanitë, të cilat i japin liçensat e përdorimit të muzikës së tyre dhe mbrapsh marrin 70% të fitimeve. Përdorimi i platformës është falas dhe të ardhurat gjenerohen me reklama, ndërsa opsione si personalizimi i playlist-ave individuale mbulohen nga nënshkrimi premium. Fillimisht, kompanitë e regjistrimit ishin mosbesuese ndaj formulës së Spotify, por aksionet në kompani dhe norma e lartë e fitimit tërhoqi 3 të mëdhenjtë e industrisë (SONY Music, Warner Music Group dhe Universal Music Group) dhe të tjerë iu bashkuan. Kjo i dha Spotify-t të drejtën për të përdorur muzikë nga pothuajse e gjithë Evropa, e pak vite më vonë (2008) edhe nga SHBA. Industria muzikore, duke zotëruar një pjesë të madhe në Spotify, kërcënonte vazhdimisht modelin e biznesit duke kërkuar ndryshime, si thjeshtimi i versionit falas, që sa më shumë njerëz të blinin premium. Kjo ndryshoi kur Spotify fuqizoi playlist-at shuffle, ku luante artistë të vegjël ose muzikë nga domeni publik, por tjetër herë flaism për implikimet me të drejtën e konkurrencës.

Spotify revolucionarizoi industrinë e music streaming, si fillim sepse konsumatorët nuk do të zotëronin më këngët, siç bënin dikur me .mp3 apo CD, por do t’i luanin në internet. Bëri që kënga të luhej menjëherë pas klikimit, nëpërmjet patentës për lossy streaming (një protokoll i tipit TCP, sipas së cilit platforma pranon humbje të vogla të dhënash audio, të padallueshme për përdoruesin, por që shmangin vonesat). Nga ana tjetër, duke i dhënë përdoruesve një përvojë të përshtatur me shijet e karakterin e secilit dhe një algoritm tepër të ndjeshëm, përdoruesit paguajnë.
Krijimi i Spotify pasoi nevojën për të mos kriminalizuar një gjeneratë të tërë, të rritur me shkarkim pirat. Vetë programuesit e Spotify gjatë zhvillimit të prototipit fillestar shkarkuan qindra mijëra këngë pirate. Shkarkimi ishte zeitgeist-i i fillim-shekullit, ndërsa streaming-u i të tashmes. Platformat pirate synonin të ndryshonin botën duke ofruar akses të hapur ndaj kulturës e duke lëshuar pe në cilësinë e produktit e përvojës. Platformat me pagesë garantojnë akses gjysmë të hapur e cilësi të lartë, por e lehtë të thuhet që bota nuk ndryshoi siç prisnin. Ndryshoi formula e konsumit dhe përvoja gjithmonë e më e personalizuar e përdoruesve, marrëdhënia gjithmonë e më shpirtërore me algoritmin. Nëse mes lexuesve ka artistë, luten të shprehin ç’ndryshoi për ta.
Shkrimi përmban të dhëna nga materialet e listuara në vijim dhe të tjera të lidhura si hyperlink me fjalët kyçe në tekst.
- The illegal rise of Spotify < https://www.youtube.com/watch?v=pkXrny5QZLU >
- A history of Taylor Swift’s odd, conflicting stances on streaming services < https://www.theverge.com/2017/6/9/15767986/taylor-swift-apple-music-spotify-statements-timeline >
- Spotify Patents < https://patents.justia.com/assignee/spotify-ab >
