I FUNDIT I PLAGJIATORËVE

I fundit i plagjiatorëve ishte nofka e Oscar Wilde. Ai nuk kopjonte fjalë për fjalë, por mbështetej gjerësisht në punët e të tjerëve në krijimet e tij, duke lënë në heshtje faktin se kjo kishte ndodhur. The Saturday Review shkroi mbi veprën e tij Poems (1881) se “ky libër bart shenja mençurie, por është i njollosur gjithandej nga imitimi, mungesa e sinqeritetit dhe shija e keqe”. Është ironike sesi më vonë, ishte portreti i Oscar Wilde nga Napoleon Sarony që ndihmoi përfshirjen e fotografisë në veprat e mbrojtura me të drejtë autori, por herë tjetër flasim për këtë.

Wilde u quajt i fundit i plagjiatorëve për shkak se jeta e tij (1854 – 1900) dhe rrjedhimisht krijimtaria, u shtrinë gjatë romanticizmit. Kjo epokë u markua nga heqja dorë prej qasjes krijuese të cilën Wilde nuk e braktisi e që e bëri të spikaste – për keq. Gjatë romanticizmit plagjiatura fitoi antipatinë që gëzon sot. Shprehitë, përjetimet dhe estetika u rivlerësuan. U lartësua çka buronte së brendshmi, çka ishte tejet personale dhe e vërtetë, ndryshe nga epokat paraardhëse. Dikur ishte e zakonshme, sidomos gjatë antikitetit dhe neoklasicizmit, që mjeshtrat të rikrijonin veprat e njëri-tjetrit, majde nxënësi më i mirë konsiderohej ai që e risillte veprën e mjeshtrit sa më pranë origjinales. Historitë dhe personazhet ishin në domenin publik dhe autorët letrarë i remiksonin lirisht, pa leje dhe pa keqebesim. Keqbesimi është një koncept që lidhet pashmangshmërisht me dënimin e kopjes së ndërgjegjshme, çka erdhi gjatë romanticizmit. Madje vetë e drejta e autorit u konceptua pak para periudhës romantike, duke ndihmuar që origjinaliteti, si nocion, të fitonte rëndësi.

Ka një teori që asgjë nuk është origjinale. Madje flitet se sot ekzistojnë ose pionierë, ose plagjiatorë (ose deri më 1973shin – plagjiatë). Megjithatë, ka një veçori doktrina e së drejtës së autorit që e ndan nga të drejtat e tjera të pronësisë intelektuale. Ajo nuk interesohet mbi përsëritjen, por vetëm mbi autenticitetin, mbi vërtetësinë. Kjo do të thotë se nuk ka rëndësi nëse dy krijime identike burojnë rastësisht nga autorë të ndryshëm. Për sa kohë vërtetohet se këta autorë kanë krijuar në mënyrë të pavarur, pa kopjuar njëri-tjetrin, të dy gëzojnë mbrojtje, sepse roli i tyre krijues është përmbushur.

Ndryshe ndodh me pronësinë industriale. Vetëm një mund të njihet si shpikës, ai që e sjell zgjidhjen i pari. Sikur një tjetër gjeni të ketë realizuar më parë të njëjtën shpikje, në mënyrë sekrete, imagjino sa do të mërzitej kur të kuptonte se ai që e shpall i pari gëzon dhe frytet. Madje për ta përdorur shpikjen, do duhet të paguajë këtë të shkathtin. Ngjashëm, vetëm një mbajtës mund ta regjistrojë markën, pasi këtu përsëritja shkakton konfuzion tek konsumatorët. Ndërsa veprat e autorit mund të ekzistojnë njëherazi e në harmoni, sa kohë autorët janë autentikë, sepse kjo bashkë-ekzistencë nuk cenon vlerën autoriale të asnjërës nga palët. Ndërsa plagjiatura nënkupton kopje të vetëdijshme dhe jo vetëm e cenon, por e asgjëson autorësinë dhe krijimtarinë. Plagjatura shënon vdekjen e kulturës së krijimit dhe vërtetësisë.

Ka shumë arsye përse autorësia mbrohet, ndryshe nga pronësite e tjera intelektuale, me dy kategori të drejtash: shpirtërore dhe materiale. Vështirë të perceptohet ndonjë emocionalitet gjatë mbrojtjes së një marke tregtare, e cila që në emër përcjell natyrën e saj kapitaliste. Deri diku ka emocionalitet dhe për shpikësin e një patente, më shumë lidhur me prestigjin që vjen si pionier shkencor. Ndërsa autorësia artistike, letrare apo gjithfarëlloj, mbart identitetin krijues të autorit gjatë gjithë ekzistencës së saj. Aspekti moral i mbrotjes kujdeset pikërisht për anën e ndjeshme të autorit, atë prej nga ka buruar ideja dhe ku është plotësuar kushti kryesor i mbrojtjes: origjinaliteti. Ky kusht e ndan autorin nga plagjiatori. Prandaj kur të dy janë origjinalë, mbrohen, ndërsa kur njëri me dijeni ka kopjuar, nuk mbrohet. Sepse duke garantuar mbrojtje ndaj kopjuesit cenohen disa nga arsyet e ekzistencës së të drejtës së autorit. Kryesisht shpërblimi për krijimtarinë, si vjelje e të mirave (pasurore ose jo) që pasojnë dhe incentivimi i krijuesve të tjerë. Plagjiatorët nuk meritojnë as njërën, as tjetrën.

Tani “imagjino” një skenar absurd: një sistem të ngritur mbi plagjiaturë! “Imagjino” sikur të shpërbleheshim për krijime që burojnë nga plagjiatura. Sikur, në fund të përmbushjes së detyrimeve akademike apo profesionale, të dorëzonim një vepër të krijuar nga dikush tjetër. Muaj të tërë kërkimi, ankthi, ekzaltimi të autorit, identiteti shprehës, pasioni dhe dija e tij mbi temën, deri edhe lodhja fizike gjatë kërkimit shkencor, të zhbëhen dhe të përvetësohen nga dikush tjetër.

Secili do të ishte minimalisht i diplomuar në bazë të aftësive që nuk i zotëron. Pasi teza, në fund të një cikli studimor, synon të provojë që studenti/ja e ka përvetësuar atë që studjoi, aq sa të prodhojë diçka – një këndvështrim, një hipotezë, një opinion – duke merituar titullin BA, MA, LL.M, MSC. Por në këtë skenar edhe titujt Prof., Asoc., Dr., do t’i përkisnin, në fakt, të tjerëve nga ata që i mbajnë. Mësues/ nxënës do të ngatërroheshin. Absurditet, pasi shkollimi i lartë nuk është me detyrim, ndaj duhet ndjekur vetëm prej pasionit e vullnetit. Po ashtu, doktoratura vlen vetëm nëse dikush ka diçka mbresëlënëse për të ndarë me të tjerët mbi një doktrinë të caktuar. Në skenarin e mësipërm të gjithë do mund t’i përftonin titujt falë plagjiaturës.

Gjasat do të ishin që plagjiatorët, të cilët nuk e njohin në thellësi objektin, të mos dukeshin as keq, sepse do të operonin mes të ngjashmëve. Madje plagjiatorët do të prisnin më shumë nga ç’meritojnë gjatë gjithë jetës. Me shumë mundësi nuk do ta perceptonin as turpin, një ndjesi që duhej t’i shoqëronte gjatë gjithë kohës. Ç’punë e pakëndshme të gërmohej atëherë për të gjetur të fundmin e pionierëve, për ta gostitur me mirënjohje dhe admirim. Ose ku i dihet, në realitetin “totalisht surreal” më sipër, mbase dhe me cinizëm e tallje.

Shkrimi përmban të dhëna nga “A Tale of Two Plagiarists”, Len Gutkin (Chronicle Review, 2019) dhe nga “Original Copy: Plagiarism and Originality in Nineteenth-Century Literature”, Robert MacFarlane (Oxford Univeristy Press, 2007).