SURROGATËT DIGJITALË & DIREKTIVA DSM: PJESA 1/3

Direktiva 2019/790 (BE) mbi të drejtën e autorit në tregun unik digjital (në vijim Direktiva DSM) hyri në fuqi në Qershor 2019 dhe brenda Qershorit 2021 pritet të përcillet në sistemet ligjore të shteteve anëtare. Për herë të parë pas 19 vitesh (që nga Direktiva InfoSoc 2001/29), Direktiva DSM rishikoi çështjen digjitale duke sjellë ndryshime të konsiderueshme. Një ndër rishikimet e vona të Direktivës, që përforcoi qëndrimin institucional ndaj domenit publik, ishte Neni 14 mbi surrogatët dixhitalë. Nëpërmjet tre artikujve, do të trajtojmë përqasjen e Direktivës DSM ndaj këtij kontroversiteti modern. Do të shpjegojmë konceptin e surrogatëve digjitalë, do të përmbledhim statusin e tyre ligjor në BE & trajtimin e tyre nga direktiva DSM (këtu), për ta përfunduar me rezultatet e pritshme për institucionet kulturore dhe publikun.

SURROGATËT DIGJITALË

Është e thjeshtë që fansat e Neuromancer apo Blade Runner të entuziazmohen kur lexojnë fjalë të tilla si surrogat digjital, biohacker apo kiberndjenja. Ndjejnë formëzimin e emocionit të pazakontë që buron nga ideja se e ardhmja ka ardhur, është këtu. E ardhmja që u ndërfaq nga animet futuriste dhe aestetika e viteve ‘80, rikthyer në trend tashmë nëpërmjet synthwave/retrowave/vaporwave. Është ndjesi e çuditshme ajo që unë dhe fansi i Neuromancer përjetojmë, por nuk jam e sigurtë nëse mund ta shpjegojmë mirë. Nëse do ta shpjegonim do të ishte, nostalgji…por për dicka që nuk e kemi përjetuar … a bëhet kështu? Nostalgji për të ardhmen që imagjinuam se do të vinte nga literarura e Isaac Asimov, nga disa tinguj sintetikë videolojërash dhe nga etja për të parë përtej, më tej. E kotë ta them se e ardhmja nuk erdhi, të paktën jo ajo që patëm imagjinuar. Ajo u fiksua në një utopi virtuale me frekuenca lejla, në një makinë që ecën përjetësisht përpara, ndërsa në perspektivë asgjë nuk ndryshon. E thënë kështu duket se ka kuptim të quhet nostalgji.

E ardhmja është ok, por jo aq eksentirke sa ç‘prisim. Kështu janë dhe surrogatët dixhitalë: një emër shumë interesant për një praktikë të zakonshme, i cili i intereson më tepër juristëve sesa sci-fistave.

Fjala surrogat (m.), përdoret për të identifikuar një mjet ose rol alternativ ndaj origjinalit, por që nuk e duplikon dhe as e zëvendëson objektin origjinal. Në mënyrë të ngjashme termi surrogat është përdorur dhe në historinë e artit, për të treguar një mjet i cili përcjell pamjen e një vepre arti në një format të ri, por jo vetë veprën. E tillë është fotografia e një pikture, ku objekti origjinal është piktura, ndërsa fotografia është surrogati i saj. Së fundmi, versionet dixhitale të veprave artistike janë adresuar si surrogatë dixhitale.

Vepra të cilat kanë egzistuar vetëm në planin fizik po lindin në mjedisin dixhital. Institutet e sektorit GLAM (galleries, libraries, archives & museums) kanë rreth një dekadë që dixhitalizojnë materialet që zotërojnë. Zakonisht formatet dixhitale janë foto (.jpeg), megjithatë edhe formate të tjera sillen në jetën virtuale nga ekspertët e dizajnit dhe shkencave kompjuterike, siç janë modelet 3Dimensionale. Shanset janë që t’i kesh hasur surrogatët dixhitalë nëse kë vizituar një muze virtual, ose faqen zyrtare të internetit të një muzeu. Janë pikërisht fotot e veprave, të cilat ti sheh në këto faqe.

Surrogatët dixhitalë janë krijuar falë përpjekjes së sektorit GLAM për të ruajtur materialin kulturor që ka në zotërim. Ky material është nën kërcënimin e vazhdueshëm të shkatërrimit. Veprat degradojnë dhe mund të prishen, dëmtohen dhe shkatërrohen nga zjarri apo forca madhore. Rezultati i ndodhive të tilla do të ishte i rëndë, sepse veprat që i kanë rezistuar shekujve do të zhdukeshin në çast. Trashëgimia kulturore e përbashkët është në fokus të organizmave ndërkombëtarë dhe ruajtja e saj kërkon shfrytëzimin e të gjitha mjeteve që ofron përparimi shkencor.

Teknologjia vjen në ndihmë dhe ofron një set avantazhesh si për publikun, ashtu edhe për institucionet kulturore. Duke u transferuar në ambientin dixhital, veprat mbrohen nga rreziqet dhe ruhen për brezat e ardhshëm. Gjithashtu teknologjia bën të mundur që veprat të studjohen me metoda të reja, të cilat nuk njiheshin më parë. Disa vepra janë të paplota, pasi pjesë të tyre janë shkatërruar dhe teknologjia bën të mundur të rindërtohen, çka ka qenë e pamundur deri pak më parë. Një tjetër avantazh është se në mjedisin dixhital kopjimi i veprave bëhet falas dhe shpërndarja e tyre është e gjerë dhe e shpejtë. Veprat të cilat ndodhen në domenin publik fizik, transferohen nga surrogatët e tyre në domenin publik dixhital, ku për shkak të statusit të tyre publik, kushdo mund ti përdori lirisht. Ose të paktën, kështu do duhej të ndodhte.

Domeni publik njihet si tërësia e veprave ku nuk ka të drejtë aktive autori. E drejta mund të ketë përfunduar, mund të mos ketë ekzistuar asnjëherë apo mund të jetë hequr dorë prej saj. Natyrshëm, nëse në veprën origjinale nuk ka të drejtë autori edhe surrogati dixhital i saj nuk do duhet të ketë. Megjithatë institutet e sektorit GLAM, kryesisht muzeumet, në faqet e tyre të internetit ku afishojnë surrogatët dixhitalë, shtojnë një njoftim të së drejtës së autorit, ku cilësohet muzeu si mbajtësi i kësaj të drejte.

Institutet kulturore kanë marrë përsipër rolin e shpërndarjes dhe mbrojtjes së materialit kulturor, çka përbën një fraksion të detyrimit për të ruajtjur trashëgiminë kulturore. Dixhitalizimi i koleksioneve është mjeti i përzgjedhur prej tyre, megjithatë ky proces nuk është krejt i thjeshtë. Dixhitalizimi shpesh është i kushtueshëm dhe muzeumet, nëpërmjet të drejtës së autorit, ja kalojnë një pjesë të kostos publikut. Njoftimi që shoqëron surrogatët dixitalë mbart kufizime surrogate për riprodhimin e veprës dhe liçensa surrogate të cilat do të lëshoheshin në rast se publiku do të donte të përdorte veprën, duke krijuar një labirint të drejtash dhe paqartësie ligjore. Në mënyrë të ngjashme me kufizimet e gjendura në muzeun fizik, ku fotografitë ose ndalohen, ose lejohen vetëm për përdorim personal, ashtu dhe surrogatët dixhitalë ndalojnë riprodhimin e tyre. Megjithatë, njëlloj si për veprat fizike, mbetet e paqartë mënyra e identifikimit dhe përndjekjes së shkeljeve në këtë rast. Dikush mund të bëjë foto dhe ta shpërndajë në një blog për pronësinë intelektuale që ka krijuar (pa i vënë gishtin njeriu). Në të njëjtën formë, ti do mund të printoje një fotografi nga MOMA.org dhe ta vendosje në një bluzë, për qëllime fitimi. Rreziku potencial dhe ai real që ti të hasësh probleme nuk janë qartazi të ndarë.

Ky rrezik dhe kontradikta të tjera janë trajtuar fillimisht nga Dr. Andrea Wallace dhe Ronan Deazley në expozitën DAYOR – Display at Your Own Risk. Kjo ekspozitë shfaqte surogatë dixhitalë të veprave të artit që ndodhen në domenin publik, por që mbartin të drejta ekskluzive autori në emër të muzeumeve pronare. Veprat e ekspozuara shoqëroheshin me informacion mbi debatin bashkëkohor e drejtë autori/surrogaci dixhitale. Gjatë kërkimeve të saj, Dr. Wallace gjeti në internet 113 surrogatë dixhitalë të Mona Lisas dhe 36 surrogatë të riprodhimeve të saj. Vetëm 9 nga të gjithë surrogatët nuk kishin të drejtë autori. Vetëm 3 nga to cilësonin Leonardo Da Vincin si autor, ndërsa të tjerat ja vishnin autorësinë muzeut.

Deri tani do duhej të kishe ndjerë një shqetësim, një bezdi nga çfarë po ndodh edhe nëse nuk e kupton krejt dinamikën. Problemet këtu shtrihen në tre nivele.

  • Në nivelin e parë ndodhet mosidentifikimi i autorit krah veprës, por zëvendësimi i tij me muzeun. Morëm Mona Lisan si shembull prej popullaritetit të saj, megjithatë ka vepra të tjera të cilat nuk gëzojnë të njëjtin popullaritet, por kanë gjithsesi vlerë të paçmueshme kulturore. Nëse nuk shoqërohen me ermin e autorit të tyre cënojnë të drejtën kryesore morale, atë të përmendjes së autorësisë.
  • Një problematikë tjetër e përforcon të parën. Siç shprehet Dr. Wallace, ishte pikërisht “mungesa e së drejtës së autorit e kombinuar me teknologjinë çka krijoi atë që ne sot e njohim si Mona Lisa“. Shumica prej nesh nuk e kanë parë kurrë Mona Lisan, por kanë parë në fakt një surrogat të saj. Nëse Mona Lisa do të ishte nënshtruar ndaj kuizimeve që garanton e drejta e autorit, ka shanse të mëdha që unë mos ta njihja para se të vizitoja Louvren për herë të parë në 2008ën. Kur Leonardo e pikturoi Mona Lisan nuk egzistonte e drejta e autorit (për hetë të parë do të egzistonte më shumë se 200 vjet më vonë). Nëse ai vetë nuk ka gëzuar të drejtë autori, duket tejet joetike që ta gëzojë muzeu i cili posedon veprën.
  • Së fundmi, në nivelin e tretë është kufizimi i të drejtës së gëzimit të lirë nga publiku. Duke mbajur parasysh se vepra është në domenin publik, ky kufizim duket i pajustifikuar. E vetmja arsye për ta kufizuar lirinë e përdorimit do të ishte merita e muzeve si autorë të surrogatëve dixhitalë. Dhe e vetmja mënyrë për të mbërritur në këtë standard do të ishtë nëse surrogati dixhital konsiderohet origjinal, krijim intelektual i vetë autorit – muzeut. Nuk themi se kjo është e pamundur. Mënyrën sesi një surrogat dixhital – pra një kopje – mund të jetë origjinal, do ta shpjegojmë në pjesën e tretë.

Shënim: shkrimi përmban të dhëna nga studimi “Digital Surrogacy and Preserving Cultural Heritage: An Assessment of Originality following DSM Directive And National Court Decisions”, tezë për mbrojtjen e gradës LL.M. pranë Universitetit Georg – August Göttingen.

Nëse nuk po i klikon hyperlink-et në tekst dhe nuk po na ndjek në Instagram @1624.legal, po humbet shumë!