Le të themi që Ermali ka xhiruar një film. Një ditë teksa lundron në YouTube, Ermali gjen një video të filmit të tij ‘’Filmi i Ermalit“. Kjo nuk është një video që tall apo kritikon filmin e tij, sepse në ato kushte Ermali nuk do të kishte ç’të bënte (parodia, Neni 84 Ligji 35/2016). Jo, filmi i tij shfaqet siç e ka bërë vet dhe Ermali vrenjtet. Ai vrenjtet sepse filmi po shfaqet pa autorizimin e tij (edhe pa paguar tarifat) dhe menjëherë merr masa. Ç’ka Ermali koncepton si masë është kontakti i menjëhershëm me AMA-n dhe pritshmëritë e tij janë të tilla: AMA njofton AKEP-in dhe dhe ky i fundit BLLOKON AKSESIN në domenin YouTube.com – për të gjithë Shqipërinë. Oh, que terror!
Mendoj se njerëzit do të ishin tejet të ndjeshëm në këtë rast për arsyen e vetme se nuk do të mund të aksesonin YouTube, tashmë pjesë e pandashme e jetës sonë. Është një nga mënyrat më të thjeshta për të kuptuar përse aksesi në internet ka nisur të konsiderohet si e drejtë e njeriut (në vitin 2016, Këshilli i të Drejtave të Njeriut pranë OKB deklaroi se e drejta për akses në internet është e drejtë themelore). Kohët ndryshojnë, teknologjia dhe mënyra si njerëzimi angazhohet në të ndryshon edhe përceptimi i politikës ndaj tyre do të ndryshojë medoemos. E drejta e informimit dhe shprehjes janë lidhur ngushtë tashmë me të drejtën e aksesit në internet, duke e kthyer këtë të fundit në të drejtë themelore që i shërben dinjitetit dhe integritetit njerëzor, e fituar thjesht me faktin e të qënit gjallë. Tani kthehemi tek Ermali.
Ermali ka një problem me të drejtën e autorit. Përdoruesi i YouTube që ka hedhur „Filmin e Ermalit“ ka cenuar të drejtat e tij të riprodhimit dhe shfaqjes ndaj publikut. Nevojitet një jurist ose thjesht një kontakt tek agjensia që menaxhon të drejtat e autorit për ta njoftuar Ermalin se YouTube merr take down notice (TND) për të ndalur shkeljet. Kur them YouTube, dua të them çdo platformë me përmbajtje të gjeneruar nga përdoruesit, por le ta vijojmë shembullin me YouTube. TDN njofoton YouTube që videoja në fjalë është hedhur pa autorizimin e mbajtësit të së drejtës, jep disa të dhëna dhe YouTube e heq videon. Është kaq e thjeshtë.
Megjithatë, Ermali vendosi të shkojë tek AMA. Mendoj se ky veprim është i barazvlefshëm me vijuesin: Ermali mërzitet në klasë sepse shoku i bankës i kopjon detyrën. Ai peshon opsionet: a) t’i thotë diçka shokut; b) t’i kërkojë ndihmë mësuesës/it; c) të ankohet në drejtori; d) të ankohet tek mami. Jo, Ermali i vockël e sheh të arsyeshme të shkojë në polici. Pjesërisht ky nuk është problem i Ermalit (vetëm pjesërisht, sepse pritet që Ermali ta dijë së nuk shkohet drejt e në polici, por ndoshta askush nuk ka marrë kohën t’ja shjegojë). Problemi merr përmasa të mëdha nëse polici angazhohet për ndëshkimin e shokut të Ermalit. Është e padrejtë, sepse në fund të fundit problemi i Ermalit është vetëm i tiji, ndërsa angazhimi i policit përveçse shkon përtej problemit, prish edhe mbarëvajtjen e mësimit për të gjithë. E kupton ç’dua të them?
E drejta e autorit i përket vetëm autorit, siç i përkasin edhe pasojat e shkeljes së saj. Padyshim shoqëria duhet të edukohet me parimin që e drejta e autorit nuk duhet shkelur, por derisa kjo të ndodhi, autorët mund të ndjekin një sërë masash të përshkallëzuara në rast shkeljeje. Fillimisht mund të raportjnë shkeljen e veprës në platformë nëpërmjet formave të vëna në dispozicion. Në Ligjin 35/2016 ky opsion barazohet me nenin 164 ‘’Kërkesa për Ndërprerjen e Shkeljes’’, që mund të dërgohet personalisht tek shkelësi ose të paditet në Gjykatë (por zakonisht është më e thjeshtë se aq). Platformat e hostuara në SHBA i nënshtrohen veprimit të Digital Millenium Copyright Act (më pëlqen shumë ky titull).
DMCA aplikohet si në rastin kur akti ndodh brenda SHBA për një vepër të huaj, edhe kur akti ndodh jashtë SHBA për një vepër të këtij shteti. Nëpërmjet plotësimit dhe dorëzimit të TDN, platforma merr masa të menjëhershme për fshirjen e materialit shkelës. Nëse kjo nuk ndodh, zotëruesi i platformës mund të përballet me përgjegjësi civile e madje penale, në varësi të seriozitetit të shkeljes dhe gadishmërisë që autori ka në përndjekjen e saj. Pra, zgjidhja e pritshme është që Ermali të njotfojë shkelësin nëpërmjet platformës dhe në rast se kjo nuk funksionon, nëpërmjeti avokatit të tij e në rast se as kjo nuk funksionon, nëpërmjet gjykatës. Patjetër mund të kërkojë dhe ndihmë në AMA/AKEP, por nëse këto të fundit bashkëpunojnë do të ishte krejt disproporcionale me synimin e Ermalit dhe kundër logjikës së pronësisë intelektuale.
Nuk kujtoj të ketë pasur politika lidhur me trajtimin e së drejtës së autorit si medium për promovimin e krijimtarisë. Ka platforma që prej vitesh cënojnë të drejtat autorëve të panumërt (kollitjefilma24nambytikolla) dhe ansjëherë nuk janë marrë masë ndaj tyre, prandaj është e pabesueshme që masa kaq drastike u morën në rastin konkret. Kuptoj që politikëbërja nuk është e fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit për mos-shkelje të drejtash, nuk është as e angazhuar në promovimin e kulturës dhe garantimin e aksesit të hapur, të cilat janë synime globale dhe të ndershme. Tamam tamam, unë nuk e di me çfarë është e angazhuar politikëbërja në këtë kontekst, por di që ky veprim tregon diçka për ideologjinë e instancave publike, për ekspertizën e tyre dhe qasjen ndaj zgjidhjes së problemit.
Nëse dikush lexoi deri këtu dhe ende nuk e di për çfarë po flasim, AKEP ka bllokuar disa faqe të cilat shfaqnin filma të Ermal Mamaqit pa autorizim, ndër to Medium.com, një faqe që gjeneron të ardhura për krijuesit shqiptarë të përmbajtjes dhe debiton përdoruesit shqiptarë të nënshkruar në të. Për më tepër lexo këtu. Ermali rezulton i kënaqur dhe ka filluar të japi leksione mbi të drejtën e autorit.
Mendime përmbyllëse:
- Ermalit vijon t’i shkelet e drejta. Për sa kohë videoja nuk është fshirë, nëse ne e aksesojmë faqen apo jo nuk ndryshon asgjë. Shpresoj që Ermali, AMA & AKEP ta dinë këtë.
- E drejta e autorit është vetëm e autorit. Aksesi ynë në vepra të tjera nuk duhet të cenohet nga paaftësia e tij/përfaqësuesve të tij për ta ruajtur siç duhet. Është e trishtë të pranoj se mund të më bllokohet aksesi në Internet pa asnjë arsye. Ky nuk është garantim i së drejtës së autorit (shif pikën 1), është më tepër kufizim i së drejtës për akses në internet.
- Jam dakord dhe e lumtur nëse bllokohet aksesi në faqet që piratojnë material kulturor, kur kjo është baza e veprimtarisë së këtyre faqeve dhe synimi i tyre është tregu shqiptar. Akti i bllokimit jep një mesazh dhe ndal një fraksion të piraterisë dixhitale. Vras mendjen cili është synimi i bllokimit në rastin konkret.
- VPN. Thjesht një VPN i zhbën gjithë bllokimet. Dikush t’ja thotë AKEP-it.