E drejta e autorit është angazhuar në një përpjekje të gjatë për ruajtjen e balancës mes shpërblimit të autorit dhe gëzimit të materialit kulturor nga publiku. Kjo përpjekje e drejton ligjvënësin të krijojë ligjet e së drejtës së autorit të tilla: ekskluzive dhe (relativisht) të gjata në kohë. Këto ligje i japin kontroll të plotë autorit mbi veprën e tij për aq kohë sa jeton. Kur ai fillon jetën tjetër, trashëgimtarët e tij vijojnë të kenë të njëjtin kontroll për 70 vjet. E çfarë problemi mund të ketë këtu? Një sërë problemesh, mesa duket. Shembujt vijnë nga nuk e pret, siç unë nuk prisja heshtjen muzikore tek Jimi: All is by my side.
Ky ishte një film urban, i veçantë dhe i freskët. Më pëlqeu rrjedha, intonacioni i bukur i Andre 3000 dhe performanca e tij e përsosur. Por arsyeja kryesore që unë shoh biografi është të përjetoj prapaskenat e krijimit artistik. Dua të shoh gjendjet apo njerëzit që kanë frymëzuar tekstet, të njoh rastësitë që kanë lënë gjurmë në histori përmes artit. Psh., nëse hyn tek njerëzit të cilëve u pëlqeu Bohemian Rapsody, sa nga ky sukses qëndron tek muzika e filmit, informacioni mbi këngët dhe mënyra si u përçuan në film? Them se shumë. Ndërsa tek Jimi, i veçantë ishte fakti se në nuk kishte asnjë këngë të tij. Instikti më tha se kjo kishte lidhje me të drejtat e autorit. Dihej se Jimi përndiqej nga situata ligjore të koklavitura falë injorimit të tij ndaj ligjit, elementi më pak tërheqës tek të gjithë artistët – por i tolerueshëm nëse arrijnë të bëjnë këtë.
Gugëllova mbi këtë fenomen dhe zbulova arsyen. Trashëgimtarët e Jimit nuk patën lejuar përdorimin e këngëve të tij në film. Mendova se kjo lidhet me një skenë të vetme të filmit, të cilin nëse e patë, do e identifikoni menjëherë.
Nëse kjo e drejtë është në fakt e drejtë, nuk e dimë. Do duhej ta nismin nga ç’është e drejta dhe kjo është një bisedë e gjatë (ndërsa koha e rekomanduar për leximin e një artikulli është 3 minuta). Prandaj do diskutojmë këndvështrimin krejt personal të këtij blogu nëse është e padrejtë. Ata që angazhohen hipotetikisht në zbardhjen e çështjes janë një fans, një muzikant dhe një jurist.
Fansi mendon se kjo është padrejtësi më e madhe se marifeti që Ed Chaplin bëri me kontratat që e lanë Jimin trokë. Kultura është bërë për t’u shpërndarë dhe Jimi, në gjithçka që përfaqësoi gjatë jetës, do kishte qenë kundër këtij kufizimi. Filmi i bërë për Jimin synon të lartësojë trashëgiminë e tij kulturore, në të cilën patjetër do duhej të ishte përfshirë muzika e tij, për të dhënë eksperiencën e plotë. Fansi këtu e di që Janie (motra që ka në dorë të thotë po-jo-po-jo) duhet të ketë lindur rreth kohës kur Jimi u largua për në ushtri e që nga ai moment nuk u kthye më në shtëpi. Pra, motra nuk e ka njohur mjaftueshëm sa për të konceptuar integritetin e veprës njëlloj si ai. Ajo madje nuk e dëgjoi kurrë të luajë. Është e vështirë të drejtojë me sukses pasurinë e tij në vendet e duhura.
Muzikanti dëshiron të përdori një fraksion të një kënge të Jimi-t dhe me këtë rast do duhet të pajiset me liçensën përkatëse, që jo gjithmonë garantohet. Marrëdhënia mes të drejtës dhe autorit është e limituar në kohë, në mënyrë që autori të përfitojë dhe të ketë dëshirë të krijojë prapë, gjithashtu edhe të marri mirënjohje për punën e tij. Ama pasi autori ka marrë gjithçka që mund të merrte, publiku duhet ta gëzojë lirisht veprën. E padrejtë, sipas tij, pasi arti është aty për të krijuar mbi të, për të bërë art në mos më të mirë, të ndryshëm, që të reflektojë nuancën e çdo brezi. Nëse kjo e drejtë do ndalet, do duhej të ndalej vetëm nga autori.

Këtu hyn juristi dhe i jep zgjidhje çështjes. Ai e fillon nga bazat: ligji ua njeh këtë të drejtë trashëgimtarëve. Në SHBA e drejta e autorit ka pësuar ndryshime madhore gjatë shekullit të shkuar. Aktiviteti kryesor i Jimi Hendrix u shtri gjatë periudhës 1965 – 1970 dhe me ndryshimet që u aplikuan ndaj Copyright Act në vitin 1976, e drejta e tij do të zgjasi 75 vjet nga dita e publikimit (pra, maksimalisht deri në vitin 2045). Jimi ndërroi jetë në Shtator 1970 dhe në mungesë të testamentit, e drejta e autorit mbi këngët e tij i kaloi babait të tij, Al Hendrix. Këtu mund të themi se lindi e drejta që familjarët e tij të bëjnë ç’të duan me pasurinë intelektuale që trashëguan. Në vitin 1995, Al themeloi Experience Hendrix, kompaninë që edhe sot menaxhon të drejtat e autorit të Jimit, por nën emrin e motrës së tij të adoptuar, Janie-t. Kur John Ridley kontaktoi Janie-n, kjo e fundit nuk pranoi të liçensonte këngët nëse nuk do të kishte vendimmarrje në përmbajtjen e filmit (kujtoni skenën, ose shifni filmin). Biografitë përmbajnë elementë subjektivë, fryt i kontakteve të cilët kontribuan tek fabula si dhe perceptimin e vetë regjizorit. Trashëgimtarëve të Jimit nuk do t’u pëlqente portretizimi (ose mungesa e portretizimit) që iu është bërë në film dhe trashëgimia intelektuale ju erdhi në ndihmë.
Juristi flet për parimet e shpërblimit dhe incentivës, të cilat justifikojnë monopolin që është e drejta e autorit. Ajo është si një taksë që publiku do të paguajë për një kohë të shkurtër, në mënyrë që të njerëzimi të gëzojë artin në përjetësi. Të drejtat financiare të autorit u tolerojnë pasjetuesve zgjedhje të cilat autori ndoshta nuk do t‘i kishte bërë. Sidomos fakti që SHBA nuk njeh të drejtat morale e ndihmon këtë fenomen. Experience Hendrix po shfrytëzon të drejtat financiare dhe fansi do duhet të bëjë si të bëjë, ta shohi filmin pa muzikë.
Muzikanti, nëse do, mund të paguajë një liçensë të detyrueshme për të përdorur kompozimin muzikor të këngës. Ka dy lloj të drejtash autori në muzikë: për kompozimet muzikore, që përfshijnë dhe tekstin dhe për regjistrimet zanore, që në shumë vende njihen si të drejtat e lidhura me ato të autorit (unë preferoj termin të drejtat fqinje, ndryshe nga Parlamenti që e miratoi Ligjin 35/2016 me atë emër të gjatë e të pakëndshëm). Nëse muzikanti do ta përdori kompozimin pa e ndryshuar, mund të paguajë një shumë të vogël ndaj qeverisë së SHBA dhe të vijojë. Ama nëse do të dojë të bëjë ndryshime do duhet të paguajë një shumë më të madhe tek Janie dhë të marri aprovimin e saj paraprak. Vetëm 25 vjet më vonë gjithçka do mund të përdoret lirisht.
Juristi mbyll këtu ligjërimin dhe me habi vëren se të tjerët nuk i argëtoi aq shumë tingulli i zërit të tij, sa atë vetë.